Të mërkurën, në Dover, janë ndaluar të parët emigrantë që mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar përmes Kanalit La Manche, në ditën e parë të zbatimit të një skeme të re pilot për kontrollin e emigracionit.
Pamjet tregojnë emigrantët të veshur me jelekë shpëtimi duke zbritur nga anijet e Forcave Kufitare.
Sipas Ministrisë së Brendshme britanike, personat e ndaluar do të mbahen në qendrat e largimit të emigrantëve deri në kthimin e tyre në Francë.
Ministrja e Brendshme, Yvette Cooper, deklaroi:
“Dje, në përputhje me marrëveshjen e re historike, grupi i parë i emigrantëve që kaloi Kanalin u ndalua sapo mbërriti në Western Jet Foil dhe do të qëndrojë në qendrat e ndalimit deri në kthimin në Francë. Ky është një mesazh i qartë për çdo emigrant që mendon t’i paguajë bandat kriminale për të hyrë në Britani: po rrezikojnë jetën dhe po humbasin paratë.”
Skema pilot, e cila do të zgjasë 11 muaj, parashikon që Britania të pranojë një numër të barabartë azilkërkuesish të cilët nuk janë përpjekur të kalojnë ilegalisht dhe që kalojnë kontrollet e sigurisë dhe të përshtatshmërisë.
Në ditët në vijim, pritet që Ministria e Brendshme të nisë një fushatë informuese për t’i njoftuar emigrantët në Francën veriore dhe rajone të tjera për kushtet e reja të marrëveshjes.
Deri më 30 korrik, mbi 25 mijë persona kishin kaluar Kanalin në gomone gjatë vitit 2025 një rritje prej rreth 49% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Ligjet britanike dhe ndërkombëtare ndalojnë kthimin e azilkërkuesve në vendet e tyre të origjinës përpara shqyrtimit të kërkesës së tyre. Megjithatë, ata mund të dërgohen në vende të sigurta që pranojnë të shqyrtojnë kërkesën për azil./abcnews.al


