Kanë nisur arrestimet e personave përgjegjës për sigurinë e ndërtesave që u shembën. Burime për abcnews.al bëjnë me dije se janë arrestuar 17 persona, ndërkohë që deri tani janë shoqëruar rreth 30 ndërtues, inxhinierë dhe zyrtarë të cilët me veprimet apo mosveprimet e tyre mund të jenë bërë shkak për humbjen e jetëve nga tërmeti tragjik.
Në shënjestër të hetimeve janë ndërtesat, shembja e të cilave la pas viktima, si Konvaleshenca, hotel Mira Mare, hotel Tropikal, Vila Palma, pallati 6 Katësh, por edhe ndërtesat e tjera të dëmtuara që janë shpallur pabanueshme.
Mësohet se është arrestuar Artur Terziu, pronari i ‘Bar Barons’, që ndodhej brenda strukturës së katit të parë të pallatit, që u shemb në Durrës pas tërmetit të 26 Nëntorit.
Shumë qytetarë akuzuan pronarin e këtij lokali se kishte holluar muret, bazamentin mbajtës të pallatit, me qëllim përfitimin e hapësirave të mjaftueshme për lokalin e tij. Banorët pretendojnë se pikërisht nga ky lokal erdhi dhe shembja e komplet pallatit, pasi godina kishte humbur ndjeshëm bazamentin e saj në katin e parë.