Plej ofi ende është i mundshëm, por tashmë do të jetë shumë më e vështirë. Shkëndija e Tetovës e humbi ndeshjen e parë të raundit të tretë në Champions, edhe pse luajti në shtëpi kundër kampiones së Azerbajxhanit, Karabag.
Përfundoi me rezultatin e ngushtë 0-1 ndeshja në stadiumin kryesor të Shkupit, “Toshe Proeski”, me golin e shënuar për miqtë nga Toral Bajramov në minutën e 18-të me penallti.
Përballja ishte e fortë dhe thuajse e barabartë, me të dyja skuadrat që patën thuajse të njëjtin numër gjuajtjesh, 17 për Shkëndinë, dhe 18 për azerët. Edhe goditjet në kuadrat ishin praktikisht në ekulibër, 7-6 për miqtë.
Dueli I kthimit do të luhet pas një jave në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, dhe ekipit të trajnerit Jeton Beqiri do t’i duhet një mrekulli që të arrijë plej ofin e Championsit.
Në rast eliminimi, Shkëndija do të kalojë në plej ofin e Ligës së Europës, pra do të ketë mundësi të synojë fazën e grupeve në këtë konkurrim europian. Përballë saj do të ishin ose Ludogorec i Bullgarisë, ose Ferencvarosh i Hungarisë./abcnews.al

