Pushimet erdhën, por rivalët nuk mund të jenë më të tensionuar se kaq.
Një betejë si dikur Sena-Prost po zhvillohet në Formula 1, ndonëse nuk dihet nëse dy pilotët e sotëm të Meklarenit e kanë emrin dhe klasin e kampionëve të viteve 80-të të shekullit të kaluar.
Lando Norris fitoi garën brenda ekipit me shokun dhe rivalin Oskar Piastri, e tani diferenca mes dy të parëve është vetëm 9 pikë.
Ndërsa duhen edhe 10 gara deri në përfundim, e kanë kaluar 14, kampionati botëror duket sikur ka nisur pikërisht tani.
Në pistën e ngushtë të Budapestit, në Çmimin e Madh të Hungarisë, pati edhe parakalime, edhe mbrojtje të pakalueshme, dhe Meklaren papritur u tregua shumë superiore edhe ndaj Ferrarit, ndonëse “kokëkuqja” italiane kishte fituar provat zyrtare me Sharl Lëklerkun.
Një xhiro prove është një gjë, dhe një garë me 70 xhiro diçka krejt tjetër, dhe makina nga Maranelo dështoi plotësisht, sepse Lëklerk nuk kapi dot as podiumin.
Ai u parakalua nga Piastri dhe pastaj nga Xhorxh Rasëll I Mercedesit, ndërsa shtatë herë kampioni I botës pati një garë krejt anonime, duke dalë në vend të I 12-ti.
Dështim edhe për kampionin në fuqi të botës, e katër herë mbajtës të titullit, Maks Verstapen, sepse Red Bulli I tij vazhdon ta tradhëtojë, dhe ai e mbylli I 8-ti.
Garë e madhe për veteranin 44-vjeçar, Fernando Alonso që doli I 5-ti, e nëse shefi dhe projektuesi legjendar Adrian Njuej do t’i japë një makinë Aston Martin për të qenë, spanjolli mund të luftojë për titullin e tretë në karrierë.
Paraqitje shumë e bukur edhe për talentin 20-vjeçar brazilian, Bortoleto, që doli I gjashti, e që ndoshta ëndërron të jetë si Sena apo Pike.
Gjithsesi, diferencën e bëri sërish makina Meklaren.
Anglezi Norris arriti fitoren e 5-të të sezonit, dhe të tretën në katër Çmimet e Mëdha të fundit, e tani ka 275 pikë ndaj 284 të australianit Piastri.

