Shanset janë që t’ia dalin të gjithë.
Natyrisht, skuadrat shqiptare kanë bërë vetëm gjysmën e punës, ndërsa sonte i presin ndeshjet e kthimit në raundin e dytë të Ligës së Konferencës.
Në fushë do të jenë Egnatia, Dinamo e Vllaznia.
Kampionia e Shqipërisë pret në orën 21:00 në “Arenën” e Rrogozhinës rivalin bjellorus Dinamo të Minskut, e padyshim që cilësohet favorite për të shkuar në raundin e tretë.
Fitoi 2-0 në Hungari në ndeshjen e parë luajtur në fushë asnjanëse, ndërsa trajneri Edlir Tetova bën thirrje për kujdes.
Dinamo gjithashtu cilësohet favorite sepse fitoi në Andorrë sfidën e parë kundër rivalit Atletik Eskaldes.
Edhe pse shifrat nuk janë të thella, vetëm 2-1, sërish Blutë e kryeqytetit duhet t’ia dalin sonte në 20:45 edhe me përvojën e trajnerit Ilir Daja.
Vllaznia padyshim që do të ketë detyrën më të vështirë.
Shkodranët fituan 2-1 në “Loro Boriçi” ndaj rivalit nga Islanda, Vikingur, ndërsa sonte në 20:45 luajnë duelin e dytë në ishull.
Shënuesi i një goli në Shkodër, Melos Bajrami është me besim.
Nëse të treja skuadrat shqiptare kalojnë turin, do të ishte diçka historike që nuk ka ndodhur kurrë më parë.

