Ka përfunduar pa marrëveshje takimi mes liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa. Përfaqësuesit e dy forcave politike thanë se do të vazhdojnë takimet për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.
Janë përafruar qëndrimet e dy partive më të mëdha politike në vend LVV-së dhe LDK-së në takimin mëse 3 orësh që zhvilluan për një koalicion qeverisës.
Takimi i sotëm u cilësua i rëndësishëm madje u tha se do të zhvillohet edhe një takim nesër.
“Sot kemi pas një takim të gjatë por mjaft konstruktiv për të shkëmbyer të gjitha pozicionet tona për marrëveshjen që pritet të arrihet në mes të dy subjekteve”, deklaroi mënkryetar i LDK-së, Avdullah Hoti.
“I kemi shtru të gjitha opsionet e mundshme. Ngaqë kemi pa edhe avancim u pajtuan që takimet tona do të jenë më të shpeshta. Ky takim nuk do të ndodhte nëse pozicionet tona nuk do të afroheshin“, tha nënkryetar i LVV-së Glauk Konjufca.
Të dyja këto parti kanë shprehur pakënaqësi për ndërrimin e datës së konstituimit të Kuvendit të Kosovës nga presidenti Hashim Thaci. Madje kanë thënë se këto dy parti nuk janë konsultuar fare.
“Nuk ka biseduar as me partinë e parë, as me partinë e dytë që janë të gatshme për të qeverisur vendin. Ne kemi dyshimet tona se si është ndërruar kjo date”, deklaroi nënkryetar i LVV-së Glauk Konjufca.
Presidenti Hahsim Thaçi gjatë ditës nëpërmjet një njoftimi ka bërë të ditur pas kërkesës së shumicës së partive politike ka vendosur të shtyjë për datën 26 dhjetor seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës./abcnews.al