Kreu i Partisë Demokratike vijon turin përgatitor për protestën e paralajmëruar të 27 janarit. Me demokratët e degës 7 të Kryeqytetit, Lulzim Basha tha se qytetarët duhet të bashkohen për t’i treguar qeverisë se aleancën vendi e ka me europën, jo krimin e organizuar.
Me demokratët e degës shtatë në Tiranë, Lulzim Basha foli për atë që quan pengesën e fundit të Shqipërisë për aderim në Bashkimin Europin.
Prej Edi Ramës nuk po luftohet krimi. Prej Edi Ramës nuk po vihen dot para drejtësisë edhe ata që janë kapur me presh në duar, si Sajmir Tahiri. Prej Edi Ramës nuk kapet “Eskobari i Ballkanit”, i cili bredh i lirë nga Tirana në Sarandë dhe nderohet në vend që të arrestohet nga policia dhe oficerët e korruptuar të policisë, që sot e kësaj dite ndodhen në kupolën e saj. Edi Rama është pengesa kryesore për Shqipërinë europiane.
Për këtë shërben protesta e 27 Janarit, tha Basha, për të refuzuar policinë e shtetit të shndërruar në organizatë kriminale dhe rrokadën e një droge të trafikuar, me tjetrën.
“Europa ia ka bërë të qartë, se pa luftuar drogën, nuk ka dhe nuk mund të ketë Shqipëri në Europë. Ndërsa Edi Rama me Fatmir Xhafën, tallen dhe zëvendësojnë klanin e Habilajve me klanin e Agron Xhafajt. Me Edi Ramën, policia dhe krerët e policisë janë kthyer në trafikantë dhe shitës kokaine.”-
Vetëm bashkimi i qytetarëve mund t’i tregojë kësaj qeverie se shumica nuk pajtohet me këtë kontratë mes pushtetarëve dhe krimit.
“Bashkohemi aty sepse aty zëri i gjithësecilit kumbon dhjetëfish më shumë. Martin Luther King thotë: Mund të mos jesh përgjegjës për gjendjen për të cilën ndodhesh, por bëhesh bashkëpërgjegjës nëqofëse nuk reagon, ndaj ne do të çohemi, do të reagojmë me zë të lartë, do të bashkohemi, do të marshojmë për vlerat tona europiane.”
27 Janari është vetëm fillimi i kësaj beteje tha kreu i selisë blu Lulzim Basha./abcnews.al