Telenovela verore politike vijon, Veliaj në burg, Berisha me farsën dhe ‘Shqipëria Bëhet’ thellon përcarjen po aq sa humbjen. Analisti Roland Bejko tha për ‘Real Story’ se partitë opozitare duhet të bashkohen por kanë një mur të madh që është Berisha. Më tej, Bejko theksoi se zgjedhjet lokale në Shqipëri kanë pasur gjithmonë natyrë politike.
“Me këtë rezultat partitë opozitare duhet të bashkohen, praktikisht kanë një mur të madh që është Sali Berisha. Qenia e tij në krye të PD pengon një sërë faktorësh opozitar. Ata duke mos iu bashkuar këtij koalicioni i prishin punë. PD është dëmtuar pas zgjedhjeve, ka një rënie të entuziazmit të votuesve. Qytetarët votojnë ndryshe në zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Në zgjedhje lokale votohet për një individë. Në zgjedhjet lokale në Shqipëri kanë gjithmonë natyrë politike, duke qenë se partitë identifikohen me liderin.”
Gjatë fjalës së tij, analisti Ergys Mërtiri tha se tre eksponentët kryesorë politik Rama, Veliaj dhe Berisha nuk duan që të ketë zgjedhje të reja lokale. Sipas Mërtirit dy palët fshihen pas njëri tjetrit dhe votuan për një Kod Zgjedhor që i garanton Ramës qëndrimin në krye të qeverisë, dhe Berishës postin e liderit të opozitës.
“Dy faktorët e rëndësishëm pozita dhe opozita sot janë në koalicion, sot nuk ka politikë. Janë të vegjlit që garojnë por nuk e rrëzojnë sistemin. Nëse zgjedhjet bashkiake janë administrative dhe ndryshojnë nga ato politikë, këto tani nuk janë as për të menaxhuar qytetin. Veliaj nuk do zgjedhje sepse është në burg. Berisha nuk do të ketë zgjedhje sepse nuk do që të humb. Rama nuk do të ketë zgjedhje sepse i hapet një bela brenda të vetëve. Të treja palët janë okej dhe janë në marrëveshje mos të ketë zgjedhje.
Kur politika është bipolare, dy palët fshihen pas njërit tjetrit. Kanë hyrë në një kod zgjedhor ku bëjnë marrëveshje të dyja palët, Rama të qëndroj në pushtet dhe Berisha të qëndrojë në krye të opozitës.” / abcnews.al


