Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sërish diskutimet në “Sy më SY” në Facebook ku është ndalur gjerësisht në aksioni për lirimin e hapësirave publike.
“Si pjesë e skuadrës së Tiranës kam pasur një seri të gjatë takimesh dhe kam kaluar në shumë territore të Tiranës që nuk i kisha parë prej kohësh pasi nuk më kishte çuar puna. Kam vënë re dy gjëra që më kanë bërë shumë përshtypje, nga njëra anë transformimet e mëdha pozitive dhe nga ana tjetër edhe negative, për një zgjerim të kufijve të veprimtarisë të njësive të shërbimit. Kjo ishte si të thuash baza e një shqetësimi. Më pas nëse keni vënë re, ne nuk kemi ndenjur rehat, por pak ditë, pasi zgjedhjet përfunduan me një rezultat që ishte i jashtëzakonshëm, por që vjen edhe me një përgjegjësi kemi diskutuar për domosdoshmërinë që të kthehemi në territore dhe të shohim shqetësimet që ka komuniteti. Pra deputetët e PS kanë qenë në territor në mënyrë të vazhdueshme në Tiranë, në Vlorë kam ndjekur vetë. Në kushtet kur kemi pasur në Tiranë edhe një situatë jo të zakonshme, Tiranës praktikisht i mungon drejtimi dhe kjo është histori tjetër. Kemi riorganizuar veten duke vendosur deputetët në një pozicion edhe më kërkues. Ka qenë absolutisht nga të katër anët e qartë kërkesa numri një e komunitetit, na çlironi hapësirat publike. Tani ka lloj-lloj qasjesh dhe duhet ta prekja një pikë që e shoh të rishfaqur shpesh. Ka një problematikë dhe ne na duhet të rikthehemi herës pas here sepse ka ende punë që duhet bërë, por jo sepse gjërat janë në situatën që ishin më parë. Kjo nuk është çështje vetëm inspektorësh, por e vendosjes në një nivel tjetër të kontrollit përmes teknologjisë dhe jemi shumë afër në këtë aspekt”, tha ndër të tjera ai.

