Sondazh

Në SPAK nis epoka Braho:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Plagosja e dyfishtë në Sarandë/ 4 në kërkim. Autori Ramadan Zoto, i dënuar në Greqi për vrasje

schedule10:07 - 18 Korrik, 2025

schedule 10:07 - 18 Korrik, 2025

Katër persona janë shpallur në kërkim për plagosjen e dy personave ditën e enjte në Sarandë, mes tyre edhe autori.

Sipas policisë Erjon Canaj, Artan Murtaj, Klaus Jaçaj dhe Ramadan Zoto, rezultojnë të përfshirë në ngjarje, ndërsa 43 vjeçari Zoto ka qëlluar me armë duke tentuar të vrasë dy të rinjtë Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj. Si autori i ngjarjes, mbi të rëndon akuza “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e mbetur në tentativë.

Në pranga e policisë është vënë gjithashtu edhe një nga të plagosurit, Gëzim Hajdaraj, pasi gjatë kontrollit në vendgjarje policia gjeti në çantën e tij një armë zjarri pistoletë, të cilën e dispononte pa leje.

Ngjarja ndodhi, rreth orës 15:00, në një lokal, në lagjen nr. 3, Sarandë. Nga hetimet paraprake të policisë ka rezultuar se katër personat e shpallur në kërkim janë konfliktuar fillimisht me dy të rinjtë Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj për motive të dobëta, ndërsa gjatë përleshjes mes tyre, Ramadan Zoto ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar, duke i lënë të plagosur.

Në vendngjarje u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 4 gëzhoja arme zjarri, një armë zjarri pistoletë tip “Beretta” dhe një krehër me 9 fishekë. Dy të plagosurit u dërguan në spitalin e Traumës në Tiranë me helicopter për mjekim më të specializuar.

Nga hetimet rezulton se autori, Ramadan Zoto, i njohur edhe me mbiemrin Canaj si dhe një nga personat e shpallur në kërkim, Erjon Canaj janë vëllezër.

Ramadan Canaj njihet si një person me rrezikshmëri të lartë, me precedentë penal në Greqi, ku është dënuar për vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Ai njihet edhe për një rast të bujshëm kur ka shkëmbyer zjarr me forcat e policisë greke. Aktualisht ai ndodhet në proces gjyqësor në Sarandë për veprën penale “goditje për shkak të detyrës”.

Ndërkohë, Erjon Canaj është përfshirë më parë në incidente të dhunshme. Në dhjetor 2022 ka ushtruar dhunë ndaj rojes së Spitalit të Sarandës, dhe në shkurt 2024 është arrestuar në banesë me dy armë zjarri, por më pas është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Sarandës.

Ndërkohë, policia vijon kontrollet që nga dita e enjte për arrestimin e tyre dhe dy personave të tjerë të përfshirë në plagosjen e ndodhur një ditë më parë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!