Avokati Arbër Hoxha ka shprehur shqetësim për gjendjen e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, duke e cilësuar atë si të “kolapsuar” dhe të dështuar që në konceptimin e reformës.
Gjatë një interviste në emisionin “Real Story” në ABC News, Hoxha tha se reforma në drejtësi ka marrë modele të gabuara dhe është përqendruar vetëm te institucionet e posaçme, ndërsa ka neglizhuar gjykatat dhe prokuroritë që prekin drejtpërdrejt qytetarët.
Ai vuri në dukje mungesat e theksuara në Gjykatat e Apelit dhe mbylljen e disa gjykatave vendore si një nga shkaqet kryesore të bllokimit të sistemit. Në lidhje me çështjen Salianji, Hoxha theksoi se dënimi ka rritur profilin politik të tij dhe se aksionet politike të opozitarit janë fuqizuar si pasojë e vendimit gjyqësor.
“Aksionet politike të Salianjit janë rritur me dënimin e tij me burgim. Jam i dyjëzuar, reforma në drejtësi ka qenë e destinuar që të dështojë që në krye të herës jo për një, por për disa faktorë politikë dhe jo vetëm. Unë mendoj se u morën disa modele të gabuara dhe prandaj dhe reforma në drejtësia është në një kolaps.
Reforma në drejtësi nuk është vetëm Prokuroria e Posaçme, nuk është vetëm Gjykata e Posaçme, drejtësia për qytetarët e thjeshtë merret nga Gjykata e Rretheve dhe jepet nga Gjykata e Rretheve dhe Prokuroritë e Rretheve.
Duhet pranuar që sistemi i drejtësisë është i kolapsuar tashmë, për shkak të vakancave, por mbi të gjitha nga një Gjykata e Apelit e cila është jo funksionale. Pra mbyllja e pesë gjykatave dhe koncetrimi në një gjykatë që nuk ka as ambiente dhe as njerëz. Kjo drejtësi është e kolapsuar për qytetarët. Duhet një reflektim që menaxhon sistemin e drejtësisë”, tha Arbër Hoxha./abcnews.al

