Asnjë e dhënë nuk arriti të binte në duart e hakerave. Në analizën e publikuar nga Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike vërtetohet se sulmi ndaj Bashkisë së Tiranës u krye nga Irani, ai ishte i një niveli të lartë dhe u realizua përmes teknikave të avancuara. Autoriteti thotë se në bashkëpunim me AKSHI-n dhe Policinë e Shtetit u arrit të izolohet përhapja e ndikimit në sistemet e tjera.
Sulmi kibernetik ndaj Bashkisë së Tiranës nuk cenoi asnjë të dhënë, duke mos e arritur qëllimin e tij për marrjen e të dhënave dhe fshirjen e serverëve.
Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike publikon analizën lidhur me sulmin ndaj bashkisë të ndodhur më 20 qershor.
Në analizën e publikuar thuhet se sulmi u krye nga Irani dhe ishte i një niveli të lartë, ai u realizua përmes teknikave të avancuara për të fshirë të dhëna dhe për të prishur sistemin operativ Windows.
Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike njofton se menjëherë pas marrjes së sinjalizimit, në bashkëpunim me AKSHI-n dhe Policinë e Shtetit, ka ndërmarrë të gjitha hapat e parashikuara duke ngritur një grup të posaçëm pune, i përbërë nga ekspertë të sigurisë kibernetike.
Ky grup nisi menjëherë punën në terren, në bashkëpunim të ngushtë me stafin teknik të Bashkisë Tiranë, dhe izoloi përhapjen e ndikimit në sistemet e tjera të ndërlidhura.
Sulmi i ndodhur më 20 qershor u mor përsipër nga rrjeti iranian i hakerave Homeland Justice, të cilët janë përgjegjës edhe për sulmin që iu bë institucioneve shqiptare online në vitin 2022. Hakerat paralajmëruan se aksioni i tyre kundër qeverisë shqiptare do të vazhdojë./abcnews.al

