Mund të realizojë transferimin e jetës.
Mario Mitaj i ka ngjitur tepër shpejt shkallët e karrierës, por tani ka ardhur një moment tjetër i rëndësishëm.
Pasi shkëlqeu fillimisht tek Lokomotiva e Moskës dhe pastaj i bëri vend vetes në Arabinë Saudite tek Al Itihad, mbrojtësi i kombëtares shqiptare mund të kalojë në Premier Ligën angleze, dhe pikërisht tek Bornmuth.
Mediat saudite shkruajnë për interesimin e klubit që sezonin e kaluar doli në vend të 9-të në elitën e futbollit anglez, ndonëse nuk jepet ndonjë hollësi financiare.
Besohet se Bornmuth ende nuk ka bërë një ofertë konkrete tek Al Itihad, dhe se historia e transferimit të mundshëm do të zgjasë.
Kampionia e re e Arabisë Saudite shpenzoi 4 milionë euro për t’ia blerë kartonin nga Lokomotiva moskovite, ndërsa sipas disa burimeve kjo shifër mund të arrijë në 5 milionë.
Aktualisht, kartoni i Mitajt arrin virtualisht në 5.5 milionë euro sipas agjencisë së specializuar “transfermarkt”.
Mbrojtësi 21-vjeçar i Kombëtares Shqiptare shënoi një gol e shërbeu dy asiste për Al Itihadin, duke fituar këtë sezon edhe titullin kampion, edhe Kupën e Mbretit, e duke qenë një nga lojtarët më të mirë të ekipit, padyshim në formacion./abcnews.al

