Apeli i Posacëm Antikorrupsion la në fuqi vendimin e shkallës së parë për ish kryetarin e Bashkisë Lushnje Fatos Tushe, duke e dënuar këtë fundit me vendim të formës së prerë me 1 vit heqje lirie, masë që u pezullua në dy vite shërbim prove për akuzën e fshehjes së pasurisë.
Apeli gjithashtu la në fuqi edhe vendimin për konfiskimin e një apartamenti në Vlorë, pasuri që nuk ishte deklaruar nga Tushe.
Organi i akuzës provoi se ish kryebashkiaku i Lushnjes nuk kishte deklaruar një apartament me sipërfaqe 82.33m2 në Lungomare të Vlorës, as shpenzimet për blerjen e kësaj prone, as punimet dhe as mobilimin e objektit.
Në shkallën e parë të gjyqsorit, cështja u shqyrtua me formën e gjykimit të shkurtuar, ku gjyqtarja Flojera Davidhi dënoi Tushen me 1.6 vite burg, dënim që zbriti në 1 vit.
Gjyqtarja e cështjes vendosi pezullimin e dënimit duke e vendosur në dy vite shërbim prove, me kushtin që të mos kryerjë asnjë vepër penale.
Fatos Tushe u arrestua në vitin 2021 me urdhër të SPAK për akuzën e korrupsionit dhe u dënua me 2 vite e 4 muaj burg. Ai e përfundoi dënimin dhe u lirua nga qelia në janar të vitit 2023.

