Një grup prindërish të nxënësve të shkollës “Emin Duraku” në Tiranë, prej 3 ditësh nuk i dërgojnë fëmijët në shkollë. Sipas tyre, godina është e pasigurt pas tërmetit të 26 nëntorit.
Friken ua shtojnë 2 aktet e ndryshme të konstatimit, përpiluar nga Instituti i Ndërtimit. Gjendur para kësaj situate, prindërit i kërkojnë bashkisë të mos lejojë përdorimin e ndërtesës, deri në riparimin e dëmeve.
Nuk ja dolën me Ministrinë e Arsimit e cila lejoi zhvillimin e mësimit në në pjesë të shkollës 9-vjeçare “Emin Duraku” në Tiranë pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit. Prindërit tashmë kërkojnë ndihmën bashkisë dhe Institutit të Ndërtimit.
Një grup prindërish prej tre ditësh nuk i dërgojnë fëmijët në shkollë. Ndërtesa sipas tyre nuk është e sigurtë.
Dyshimet ia kanë shtuar dy aktet e ndryshme të konstatimit të Institutit të Ndërtimit të cilët vijojnë të mbeten në fuqi.
Ndërsa një prej prindërve me profesion inxhinier na tregon atë që ka konstatuar vetë në mjediset e shkollës.
“Parapeti i tarracës lart është i shkëputur, ajo mund të bjerë në çdo kohë. Ne si prindër kërkojmë akt-ekspertimin, që të jemi të qetë. Problemet janë te shtesat e bëra, të cilat kanë nevojë për ndërhyrje, për një zgjidhje inxhinierike, për përforcim. Këta vetëm e kanë mbuluar me llaç dhe e kanë lënë ashtu. Ajo përbën rrezik”.
Për këto arsye Institutit të Ndërtimit i kërkojnë kryerjen e një akt-ekspertimi më të thelluar ndërsa bashkisë ndërprerjen e përdorimit të godinës deri në riparimin e dëmeve.
Ndërsa prindërit vijonin protestën përpara dyerve të shkollës, tre inxhinierë nga Universiteti Politeknik mbërritën për të inspektuar ndërtesën.
Megjithkëtë ata nuk arritën ta kalojnë derën e shkollës. Drejtoresha nuk i lejoi të futeshin në godinë me pretendimin se nuk ishte të pajisur me autorizim./abcnews.al