“Shullazi”/ “Zbërthehet” Gilmando Dani rrëfen marrëdhënien me biznesmenin Ylvi Beqja

schedule19:31 - 16 Janar, 2018

schedule 19:31 - 16 Janar, 2018

Gilmando Dani, miku dhe i bashkëpandehuri i Emiliano Shullazit, tregoi para Gjykatës për Krimet e Rënda, marrëdhënien e tij me biznesmenin që i kallëzoi për “gjobëvënie”, Ylvi Beqja. Dani tha se nuk i kishin marrë asnjë cent biznesmenit.

Për gati 60 minuta, Gilmando Dani, i konsideruar si krahu i djathtë i Emiliano Shullazit, iu përgjigj pyetjeve të prokurorëve, gjyqtarëve dhe avokatëve të procesit, ku është i pandehur tek Krimet e Rënda. Thelbi i dëshmisë ishte marrëdhënia e tij me biznesmenin Ylvi Beqja, personin që ka kallëzuar atë dhe miqtë e tij për “gjobëvënie”.

Dani tha se ishte Shullazi, ai që e kishte prezantuar me biznesmenin. Sipas tij, Beqja kërkonte ndihmë pasi ndihej i kërcënuar nga një person dhe se kishte vështirësi në vështirësi në regjistrimin në hipotekë të hotel “Vollgës”.

“Pasi të merrte pronën edhe ne do të kishim përfitimin tonë”, tha Dani.

I pandehuri rrefeu se me kërkesë të Beqjes kishte tërhequr disa çeqe në bankë, për të cilat kishte angazhuar dhe të pandehurit Endrit Qyqja dhe Endrit Zela.

“Paratë e tërhequra ia kam dhënë në dorë Ylviut. Ndërsa me 16 mijë euro të tërhequra nga Qyqja u pagua një faturë në hipotekën e Durrësit, si taksë prone”.

Ai tha se kishte pasur marrëdhënie shumë të mira me Beqjen.

“Komunikoja shpesh me të. Ai vetëm premtonte. Më premtoi se do më fuste në biznesin e riciklimit të mbetjeve spitalore. Nuk i kam marrë asnjë cent, përkundrazi, me ka 2 mijë euro borxh”, tha Dani.

I pandehuri theksoi se nuk kishte qenë prezent në bisedat mes Emiliano Shullazit dhe Beqjes dhe as kur ata kishin nënshkruar kontrata tek noterja. Dani mohoi edhe te ketë takuar ndonjëherë profesorët Dhori Kule e Mynyr Koni. Pas dëshmisë së Danit, të pandehurit Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi nuk dhanë pëlqim për të dhënë shpjegime përpara gjykatës./abcnews.al