Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka informuar për gjendjen shëndetësore në të cilën ndodhen të dëmtuarit nga tërmeti. Manastirliu njoftoi se gjendja e Albert Carës, Marlin Shkodrës dhe Ram Lalës është e stabilizuar deri tani.
“Gjendja e tre të lënduarve nga tërmeti që po marrin trajtim të specializuar në Itali, deri tani, paraqitet e stabilizuar, po ashtu edhe gjendja e 18 të lënduarve që po marrin trajtim në spitalin e Traumës dhe Durrësit”. Janë më shumë se 500 mjekë në terren, jo vetëm të qarqeve të prekura por edhe mjekë që kanë ardhur vullnetarisht, që po japin shërbim 24/7 në ambientet ku janë sistemuar banorët. Janë kryer më shumë se 5500 vizita, ndërsa vijojmë me programin e vaksinimit, ku deri tani janë kryer më shumë se 1500 vaksina në pikat ku janë sistemuar banorët”, tha Manastirliu.
E pyetur në lidhje me dëmet e shkaktuara nga tërmeti në godinën 6 katëshe në QSUT, Manastirliu tha se godina nuk ka dëme strukturore dhe janë marrë masat në zbatim të akt konstatimit të ekspertëve, për të nisur menjëherë puna për riparimin e dëmeve.
Manastirliu theksoi se po rehabilitohen dëmet në godinat shëndetësore të dëmtuara, ndërsa do të përfshihen në planin e rindërtimit godinat me dëmtime më të rënda./abcnews.al