Kryeministri Rama paralajmëroi pak ditë më parë se këtë vit nuk do të ketë shpërblime për atë pjesë të administratës që kanë përfituar gjatë viteve të fundit.
Sëfundmi është publikuar në Fletoren Zyrtare vendimi në fjalë, i cili ndalon përdorimin e fondit të veçantë për shpërblime apo aktivitete social-kulturore të punonjësve.
Vendimi i Këshillit të Ministrave
VENDIM
Nr. 781, datë 6.12.2019 për një ndryshim në vendimin nr.929, datë 17.11.2010, të këshillit të ministrave, “për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë”, të ndryshua. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr. 10405, datë 23.4.2011, “Për kompetencat për përcaktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të nenit 11, të ligjit nr. 99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Pika 9, e vendimit nr. 929, datë 17.11.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, riformulohet, si më poshtë vijon: “9. Përjashtimisht për vitin 2019, fondi i veçantë i institucioneve qendrore, buxhetore dhe jobuxhetore, institucioneve të vetëqeverisjes vendore, njësive të fondeve speciale, institucioneve publike, të krijuara me ligj të posaçëm, ndërmarrjeve dhe shoqërive tregtare me kapital mbi 50% shtetëror, në varësi të institucioneve qendrore dhe të vetëqeverisjes vendore, nuk do të përdoret për veprimtari social-kulturore dhe shpërblimin e punonjësve.”.
2. Ngarkohen institucionet e përmendura në pikën 1 për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTËR
Edi Rama