Pas 13 ditësh pushimi për shkak të termetit, disa prej nxënëseve sot rifilluan mësimin. Por ka edhe shkolla të dëmtuara që nuk janë hapur sot. Gazetarja Ajgena Korbi dhe grupi i xhirimit të Abc News panë nga afër disa prej tyre.
Oborrit të gjimnazit “Andon Zako Çajupi” në Tiranë i është kthyer gjallëria. Pas 13 ditësh pushim për shkak të tërmetit që tronditi vendin nxënësit i janë kthyer mësimit.
Ndërsa nxënësit e klasës se dytë në shkollën 9-vjeçare “Sabahudin Gabrani” i gjetëm ndërsa po mësonin se si të reagojnë në rastin e një tërmeti. Ata shihen në pamje teksa vendosin librat në kokë e më pas dalin jashtë në rresht. Situatat e përjetuara më 26 nëntor dhe ndjesitë për moshatarët e ndodhur në vështirësi të vegjlit i treguan në klasë përmes vizatimeve dhe kartolinave.
Shkolla 9-vjeçare “Sabahudin Gabrani” sipas drejtueses së saj nuk ka pësuar dëme serioze. Drejtoresha Asatasi Keri thotë se “shkolla nuk ka pësuar dëmtime, përveç disa plasaritjeve në papafingo e cila është me gips”.
Ndryshe nisi dita në shkollën nëntë vjeçare “Emin Duraku”. Një pjesë e prindërve kanë kundërshtuar fillimin e mësimit në këtë godine. Sipas tyre ajo nuk paraqet siguri.
Instituti i Ndërtimit më 3 dhjetor ka konstatuar se tërmeti i ka shkaktuar dëmtime në strukturë dhe ka kërkuar pezullimin e aktivitetit deri ne kryerjen e riparimeve të nevojshme.
Aktualisht tek ‘Emin Duraku’ është mbyllur vetëm godina e klasave të fillores. Mësimi vijon në ndërtesen e nëntë vjeçares
Disa prinder kanë firmosur një peticion drejtuar Ministrisë së Arsimit. Ata thonë se nuk do të çojnë fëmijët në këtë shkollë deri sa t’u vihet në dispozicion certifikata e sigurisë për gjendjen e fizike të godinës.
Ndërsa gjimnazi “Sami Frashëri” nuk i hapi dyert për nxënësit e tij këtë 9-dhjetor. Shiritat e sigursë si në këtë ndërtesë do të vijojnë të rrethojnë mbi 30 shkolla në zonat e goditura nga tërmeti deri në riparimin e plotë të dëmeve./abcnews.al