Autoritetet në Kosovë thone se paqja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm kur liderët serbë do të flasin me turp, për trashëgimine e ish-udhëheqësit serb, Sllobodan Millosheviç. Komentet e drejtuesve te shtetit ne Kosovë u bënë pas deklaratave të presidentit serb Vuçic se masakra e Reçakut në 1999 është një krim i trilluar nga William Walker.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç duke u prononcuar për mediat serbe ka theksuar se Masakra e Reçakut është mashtrim duke shtuar se do të përsërisë cdo ditë se ky është një krim i fabrikuar.
“Unë e përsëris tani, se Masakra e Recakut është e fabrikura ku gjithcka ka falsifikuar mashtruesi me përmasa boëtrore Uiliajm Uoker dhe këtë do e përsëris cdo ditë dhe nëse do të provojnë të gjithëve të na gjykojnë”.
Ndaj një deklarate të këtillë kanë reaguar edhe autoritetet në Kosovë. Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se paqja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm kur liderët serbë, do të flasin me turp, për trashëgiminë e ish-udhëheqësit serb, Sllobodan Millosheviç.
“Kancelarja Merkel foli me dinjitet në Aushvic për turpin e autorëve të krimit në të kalurën. Liderët serbë flasin me krenari për gjenocidin. Ne do të arrijmë paqe për të ardhmen e gjeneratave në të gjithë Ballkanin, kur me turp dhe vetëm me turp shprehemi për trashëgimin që ka lënë Millosheviqi”, ka shkruar në Tuitter presidenti Thaçi, duke përmendur një vizitë që kancelarja gjermane, Angela Merkel ka bërë në kampin e përqendrimin në Aushvic, ku tha se ndihet thellësisht e turpëruar nga krimet gjermane.
Ndërkaq, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili njëherësh është pretendenti kryesor për postin e kryeministrit, tha se Serbia duhet të pranojë krimet që ka bërë.
“Ai ka refuzuar ta quajë Srebrenicën gjenocid dhe tani mohon masakrën e Reçakut. Ai do që të ketë një të ardhme paqësore pa pranuar krimet e së kaluarës. Por, gjenocidi, varrezat masive dhe masakrat janë e vërtete e Serbisë. Është koha që Vuçiçi të merret me to”, ka shkruar në Twitter Albin Kurti.
Ndërkohë siç njoftojnë mediat kandidati për Kryeministër të Kosovës, në takimin e Berlinit “Dialogjet e Ballkanit” ka përmendur tre parimet për vazhdimin e dialogut me Serbinë, ku i pari është që nuk e dëshiron presidentin serb Vuciç në tavolinën e negociatave.
Sipas mediave parimi i dytë është se nuk ka negociata për territorin e Kosovës kurse i treti nuk ka negociata rreth hartave. /abcnews.al