Tërmeti i 26 nëntorit shkatërroi 3 pallate në Thumanë ku fatkeqësisht humbën jetën 24 persona. Grupi i xhirimit të “ABC News” udhëtoi drejt dy njësive bashkiake dhe Bashkisë së Krujës për të marrë një informacion zyrtar mbi akt-konstatimet e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.
Sipas punonjësve vendorë, Kryebashkiaku i Krujës Artur Bushi nuk gjendej në zyrën e tij. Pas disa tentativash për tu lidhur me të nga stafi i Abcnews kryetari i bashkisë së Krujës Artur Bushi, me anë të një mesazhi deklaroi se ka punë shumë më të rëndësishme, këto ditë. Askush nga zyrtarët e qeverisë vendore në Krujë nuk thyen heshtjen dhe të tregojnë të vërtetën, për tragjedinë e 26 nëntorit.
I paqartë mbetet fakti se përse Bashkia e Krujës nuk sqaron dyshimet e ngritura prej banorëve të Thumanës se 3 pallatet që shkaktuan 24 viktima ishin të dëmtuara që nga tërmeti i 21 shtatorit. Jashtë kamerave ata kanë deklaruar se pas tërmetit të parë disa kohë kanë qëndruar në çadra dhe më pas janë futur në shtëpitë e tyre pasi askush nga qeveria vendore nuk mori asnjë masë.
Zyra e informacionit në Bashkinë e Krujës i tha “Abc News” se kryetari ishte në Fushë Krujë dhe në Thumanë së bashku më inxhinierë duke kryer inspektimet në terren. Ndërsa në njësinë administrative Thumanë u tha që drejtuesi i kësaj njësie gjendej në Krujë në mbledhje me Bushin. Kush nga këto institucione po thotë të vërtetën? Pse po fshihen drejtuesit e qeverisë vendore në Krujë? Një kërkesë zyrtare për informacion Bashkisë së Krujës i është bërë edhe nga Partia Demokratike. Kërkesa ka 5 pyetje të cilat lidhen me dyshimet e ngritura nga banorët e Thumanës.
Ndërsa Prokuroria ka nisur hetimet dhe ka sekuestruar të gjithë dokumentacionet që i duhen për hetim. Burime nga organi i akuzës në Krujë bënë me dije se janë marrë mostra për të bërë analizën në çdo objekt të dëmtuar. Gjithashtu i kanë bërë një kërkesë Bashkisë së Krujës që asnjë objekt nuk do të shembet pa qenë prezent ekspertët e Prokurorisë. Po i njëjti burim saktëson se janë marrë në pyetje të mbijetuarit e 3 pallateve famëkeqe dhe banorë të tjerë. Ndërkohë plasaritje nga tërmeti ka pësuar edhe Prokuroria e Krujës./abcnews.al