Nëse në vitet e para të hapjes në një ekonomi tregu ishte e vështirë të bëje biznes duke qenë femër, sot ky realitet ka ndryshuar. Të dhënat flasin për një rritje të rëndësishme të rolit të femrës në sipërmarrje.
Lidhur me këtë po diskutohet edhe në emisionin “Sheshi i dollarit” në ABC News. Arjan Ymeri, drejtor i Agjencisë për mbështetjen e Start up-eve thotë se ka një ligj që vë në fokus gratë dhe vajzat në biznes. Sipas tij, në një thirrje të hapur në vitin 2024, nga 541 aplikime për të financuar kompanitë e reja nga agjencia që drejton, 41 për qind e tyre ishin nga kompani që drejtoheshin nga femra.
“Është një ligj për strat up-et që i jep fokus grave dhe vajzave në biznes, qoftë në trajtimin ndryshe nga ekipet me djem dhe burra. Vajzat marrin një përqindje të caktuar në çdo kualifikim financiar që ne bëjmë. Në çdo thirrje që kemi të hapur si agjenci vajzat janë pozitivisht të diskriminuara me një 5 për qind pikë më shumë. Pra, nëse do të marrim një aplikim nga një grup ose një entitet që është dy të tretat me vajza dhe gra ose një lider që është vajzë ose grua, ne kemi aty një 5 për qind më shumë pikësh që i japim menjëherë. Në financimin e akorduar nga buxheti i shtetit për vitin 2024 kishim 300 milionë lekë të akorduara për të financuar të gjithë kompanitë e reja. Nga kjo, ne patëm 541 aplikime, dhe prej këtyre gati 41 për qind ishin kompani të drejtuara nga vajza ose gra. Ky raport u ndryshua pak, vajti te 70 me 30 që në një mënyrë tregon pak se kompanitë e themeluara nga vajzat dhe gratë janë pak më të hershme se kompanitë nga meshkujt. Por në thirrjen e dytë që hapëm në dhjetor të vitit të kaluar raporti vajti në aplikim 57 me 43, pra kishim një përqindje më të rritur të femrave që kanë aplikuar dhe jam i bindur se raporti i financimit këtë herë do të jetë më ndryshe. Pra, do të ketë më shumë femra ose kompani të drejtuara nga gra dhe vajza se sa kishim vitin e kaluar.”, u shpreh ai./abcnews.al

