Analisti Mentor Nazarko në emisionin “Real Story” në ABC News, u shpreh se masa e marrë ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, është shumë e rreptë.
Gjithashtu ai shtoi se narrativa që ka ngritur prokurori nuk është mbështetur mbi prova të forta.
“Në gjykimin tim SPAK, apo BKH me gjithë procedurën rigide të përzgjedhjes së personelit të tyre, vuajnë defekte të sistemit të drejtësisë në përgjithësi, sa i takon rreptësisë së disa standardeve. Nisur nga kjo Veliaj ka zgjedhur si linjë mbrojtëse atë të akuzës për prokurorin se gjendet në konflikt interesash dhe se ka frymëzim politik. Gjithë qëndrimet që mban në rrjete sociale të vetat, shto seancat e gjata hetimore dhe në gjykatë, kanë synuar që të nxisin nervozizmin e prokurorit dhe prokurori ka rënë në këtë gracke. Mendoj se Veliaj dhe mbrojtja e tij po fuqizojnë tezën që prokurori Dado ka frymëzim politik. Ka qenë i qartë dhe selektiv që në fillim dhe kjo është mënyra që ai të jetë koherent me qasjen e mëparshme personale dhe të PS që ka lavdëruar SPAK. Kurse për ta veçuar atë që është prokurori i çështjes së tij, ka zgjedhur këtë mënyrë- për dikë me statusin e tij është legjitime të sulmojë prokurorin. Goditja ndaj tij është shumë e fortë në gjykimin tim. Masa e marrë ndaj Veliajt, mendoj që është shumë e rreptë. Është me statusin e të dyshuarit nuk është ende i pandehur. Narrativa që ka ngritur prokurori, apo fabula prokuroriale nuk është e mbështetur mbi prova të qëndrueshme, të forta, ekspertizë… Nuk ka ekspertizë…Edhe në çështjen e shpenzimeve, nuk ka ekspertizë me sa di unë”, tha ndër të tjera ai.
/abcnews.al/

