Prokuroria e Shkodrës ka nisur hetimet për vdekjen e 4 vjeçarit Omer Hasmegaj pak ditë më parë. Mësohet se po hetohet neglizhenca në trajtimin mjekësor.
Sakaq, do verifikohen veprimet e prindërve dhe të personelit mjekësor.
“Lidhur me rastin e të miturit 4 vjeçar që ka ndërruar jetë, ju bëj me dije se Prokuroria ka orientuar shërbimet e Policisë Gjyqësore në Komisariatin e Vaut të Dejës për kryerjen e veprimeve të para hetimore. Është referuar materiali procedurial penal dhe Prokuroria ka regjistruar procedimin penal dhe do vijojnë hetimet”, thuhet në njoftim.
4 vjeçari ndërroi jetë pak ditë më parë pasi u dërgua me simptoma të rënda me kollë dhe të vjella në spitalin e Shkodrës. Në QSUT në Tiranë në gjendje kritike ndodhet edhe e motra 7 vjeçare.
Katër ditë më parë, fëmija i çiftit Hasmegaj mbërriti në spitalin e Shkodrës me simptoma të rënda me kollë dhe të vjella. Me të njëjtat simptoma u paraqit edhe e motra 7-vjeçare e viktimës.
Në një njoftim zyrtar, policia e Shkodrës tha se dy fëmijët janë dërguar në spital me simptoma të dyshuara nga virozat e stinës dhe pasi kanë marrë mjekimin, janë larguar në banesë. Një ditë më pas, gjendja e tyre u përkeqësua sërish. Babai Samed Hasmegaj i ka dërguar në spital, por pavarësisht ndihmës mjekësore, 4-vjeçari humbi jetën ndërsa 7-vjeçarja është dërguar në QSUT./abcnews.al