Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis kërkoi që BE-ja të hapë negociata për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë javën e ardhshme, duke akuzuar Francën për bllokimin e procesit.
Micotakis tha në një intervistë për Financial Times se shpreson që gabimi i Macron të korrigjohet. Micotakis i bëri thirrje Macron që ta shohë zgjerimin e BE-së drejtë Ballkanit Perëndimor si qëllim gjeopolitik, siç bënë pararendësit e tij në Paris në promovimin e anëtarësimit të Greqisë para katër dekadave.
“Nëse shohim kontekstin më të gjerë gjeopolitik, është shumë e qartë se duhet të ruhet rruga evropiane e hapur për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, me kusht që t’i përmbushin kërkesat, sepse ky nuk është proces automatik. Nëse shohim disa elemente nga rrëfimi për Greqinë, në vitin 1979, Greqia u bë anëtare e Bashkësisë Evropiane Ekonomike, sepse një president francez, në atë kohë, mori vendim të guximshëm, duke e parë kontekstin më të gjerë gjeopolitik, se Greqia duhet t’i përkiste Evropës, që të tejkalohej trauma nga junta. A ishte e gatshme Greqia për anëtarësim në atë periudhë? Kush e di”, ka thënë lideri grek./abcnews.al