Vota kundër emigrantëve “ka bashkuar” Partinë Demokratike, pasi reagimi i Lulzim Bashës ishte i denjë për të. Fillimisht, Basha konfirmoi për ABC News, votën e tij dhe dy deputetëve që e ndjekin por pa kaluar një orë ndryshoi mendje. Në përgjigjen me shkrim zëdhënësja Karabina tha se Basha kishte dy kushte, listat e hapura, duke kopjuar ish-kolegun e tij Enkelejd Alibeaj, dhe votimin elektronik në të gjithë Shqipërisë. Kjo është, një kërkesë e pamundur, e njëjtë si votimi i emigrantëve me dokumenta të huaja, që erdhi një ditë më parë nga Sali Berisha.
Lidhur me këtë, deputeti socialist Petro Koçi tha në “Tirana Live” se këto janë manovra për të mos i dhënë zgjidhje votës së emigrantëve.
“Unë mendoj që rasti i Bashës duhet të jetë kompleks. Ai ka lindur i kompleksuar. Ai kompleksohet nga akuzat që quhet gjithmonë bashkëpunëtor i mazhorancës. Edhe Basha vetë ka akuzuar Berishën si bashkëpunëtorë të PS. Gjykoj që të tjerët më shumë e shfrytëzojnë rastin që të vënë në dukje që kërkojnë disa gjëra të tjera që në fakt prekin në thelbin kodin, siç është ajo puna e listave të shqyera. Por që në thelb mendoj që nuk janë sjellje serioze në fund të fundit, edhe gjithkush e kupton që këtu bëhet fjalë për disa manovra për t’iu shmangur kësaj zgjidhje që e garanton pjesëmarrjen më të lartë të emigrantëve në procesin zgjedhor”.
Më tej, i pyetur nëse ka frikë PS nga vota e emigrantëve, ai tha: “Po të kishte frikë nuk do të vinte te ky propozim dhe do të thoshte shyqyr që kjo pala tjetër nuk pranon dhe do ta linte fare. Kurse ne po bëjmë gjithçka që është e mundur që kjo punë të realizohet. Prandaj dhe u mor vendimi i qeverisë, që është i pavarur nga opozita për të shtyrë skandencën me efekt elektoral të kartave të emigrantëve”./abcnews.al

