Tërmeti që goditi Shqipërinë ka shkaktuar pasoja të rënda në njerëz dhe dëme materiale. Tashmë ka nisur procesi i mbikëqyrjes së banesave të cilat janë të pabanueshme. Anëtari i Shtabit të Emergjencave Ilir Bejtja ka deklaruar për “ABC News” se ditën e sotme janë bërë 469 inspektime në Durrës.
“Sot kemi identifikuar një numër të konsideruar hotelesh për ti ardhur në ndihmë banorëve të lënduar nga tërmeti. Sot qytetarët janë të traumatizuar dhe është e rëndësishme që të jemi në gatishmëri për vlerësimin e situatës”, u shpreh Bejtja.
“Ne vazhdojmë me ritme të shpejta për vlerësimin e situatës, deri tani janë bërë 469 inspektime për dy ditë. Po bëhet vlerësim i objektit nëse është apo nuk është i rëndësishëm dhe qytetarëve po i japim mundësinë që të akomodohen në hotele, jo si turistë, por si njerëz të goditur nga tërmeti”, tha Bejtja.
Ndër të tjera ai tha se sot kanë arritur 25 ekspertë të tjerë dhe po shtohet numri i grupeve në terren për të identifikuar të gjitha banesat e dëmtuara.
I pyetur se nëse fondet për njerëzit që po akomodohen do të jenë mes buxhetit të shtetit apo privatit, ai thotë se do të jenë të gjitha fondet e shtetit.
“Janë të gjitha para të buxhetit të shtetit ndërsa ndihmat ushqimore janë të dhuruara nga donatorë të ndryshëm”, deklaroi Bejtja.
Sa i përket bilancit të dëmeve ai tha se deri tani që flasim nuk ka një bilanc të dëmeve, por pritet që më 15 dhjetor do të ketë diçka konkrete. Pasi të mbarojë i gjithë procesi i inventarit çdo gjë do të bëhet transparente, u shpreh Bejtja.
I pyetur nga gazetarja Glidona Daci se banorët e shkozetit janë shprehur se nuk ka shkuar asnjë ekspert, ai thotë se inspektimi është bërë dhe pallatit i janë vendosur shirita sepse është i pabanueshëm.
“Nëse vendoset shiriti është bërë për sigurinë e jetës, në çdo rast shembjeje është garantuar që të marrin sendet me vlerë”, deklaroi Bejtja./abcnews.al