TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka akuzuar SPAK se nuk ka lejuar deputetin Vangjel Dule dhe eurodeputetin Fredi Beleri të takojnë Ilir Metën në burgun 313.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Blushi thotë se SPAK i ka penguar dhunshëm Dulen dhe Belerin, pasi sipas tij, ligji e sanksionon qartë se institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen pa autorizim, nga një deputet i Shqipërisë apo eurodeputet i Bashkimit Europian.
Krahu i djathtë i Metës, I ka bërë thirrje institucioneve shtetërore e ndërkombëtare, të reagojnë për këtë akt.
Megjithatë, në një reagim për ABC News, SPAK sqaron se nuk është në kompetencë e tij për të dhënë leje për vizita, kur bëhet fjalë për deputetë e eurodeputetë, por miratimi jepet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Sipas SPAK, deri në orën 15:15 të datës 31 janar, kur Dule dhe Beleri janë paraqitur në derën e burgut 313, nuk ka patur asnjë kërkesë nga deputeti dhe eurodeputeti për të takuar ndonjë të paraburgosur, ndaj dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk ka patur kërkesë për të miratuar.
Megjithatë, kjo vizitë e dyshes Dule-Beleri, vjen si një kthim respekti, pasi gjatë kohës kur Beleri ishte në qeli, Meta e vizitoi jo vetëm në burg, por edhe familjarët e tij në Himarë.

