Analisti, Albinot Maloku në një intervistë në “Ora e Fundit”, në ABC News, foli për aksionin e policisë së Kosovës në 10 komuna, ku për pasojë u mbyllën institucionet paralele serbe.
Ai theksoi se qeveria e Kosovës nuk e ka luksin që të veprojë pa koordinim dhe pa bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Veprimi i sotshëm, i dënuar nga faktori ndërkombëtar, ishte në vazhdën e reagimeve që ata i bëjnë nëse kemi situata kur bëhen veprime jo në koordinimin siç cilësohen ato. Kosova duhej të pretendonte që të kishte një shtet që respekton rendin juridik ligjor. Veprime e policisë duhej të ishin të koordinuara me sistemin gjyqësor me sistemin e prokurorisë. Policia e Kosovës sot ka bërë veprim më vete, pavarësisht se i drejtë, por jo se ka marrë letër nga prokuroria për të vepruar. Është e nevojshme ruajta fuqizimi dhe angazhimi edhe në çështje që e prekin atë”, tha ai.
Gjithashtu komentoi edhe qëndrimin e Serbisë e cila braktisi takimin në Bruksel, për shkak të mbylljes së institucioneve në Kosovë.
“Jemi mësuar taktikat e Serbisë, këtë e kemi të njohur. Nëse kemi këtë njohje në veprimet e Serbisë, nuk duhet t’i krijohet një situatë e tillë. Faktori ndërkombëtar që ka përgjegjësi të veçantë dhe me një presion të veçantë, por urtësua është që jetësimi i një të drejtë, si mbyllja e këtyre institucioneve duhet të priste, të kishte kohën e vet dhe të mos bëhej shkak për të sjellë këtë situatë në takimin në Bruksel. Serbia di t’i përdorë këto situata, por nga ana jonë duhet të kishte maturi, dhe kam dyshime që qeveria e Kosovës nuk e ka bërë”, tha mes të tjerash ai.
Sa i përket fushatës elektorale në Kosovë, analisti shtoi se opozita po tregon kulturë dhe maturi, ndërsa sa i përket kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, ai tha se nuk po tregon asgjë tjetër veçse retorika boshe.
/abcnews.al/