Portieri i Bayer Leverkusen, Luksa Hradecky, bëri plot 10 pritje në ndeshjen kundër Bayern, një rekord personal në Bundesliga. Gardiani 30-vjeçar ishte më i miri në fushë për Leverkusenin në atë fitore 1-2. Pas ndeshjes, Hradecky dha një intervistë shumë të veçantë.
“Bëmë një ndeshje të madhe, e merituam fitoren. Shumë do të shohin vetëm statistikat dhe do të thonë se ishim me fat. Edhe ne kemi bërë shumë ndeshje ku statistikat kanë qenë në favorin tonë, por nuk kemi fituar.
Sot, ia dolëm. Të gjithë sakrifikuam, unë luajta 20 minutat e fundit të pjesës së parë pa lentet e mia. Nuk shikoja asgjë me njërin sy. Nuk kisha kohë të kontrolloja, Bayerni po na sulmonte vazhdimisht. Gjëja më e vështirë në karrierën time, të luaj 20 minuta me vëzhgim të turbullt përballë Bayern Munchen”, përfundoi gardiani 30-vjeçar./abcnews.al