Në stadium hyri nga dera e pasme.
Myrto Uzuni është shumë i kërkuar këto kohë në Spanjë, ndërsa një konflikt ka shpërthyer mes tij dhe klubit të Granadës.
Sulmuesi kuqezi u la jashtë ndeshjes së ligës së dytë në shtëpi ndaj Burgosit, dhe në mungesë të tij, bardhekuqtë nuk ia dolën të shënonin.
Përfundoi 0-0, dhe sipas mediave spanjolle në stadium u dëgjuan thirrje për Uzunin dhe protesta ndaj drejtuesve të klubit.
Nëse shqiptari ishte në tribunë dhe u prit mirë nga tifozët, presidenca mungoi për të dytën ndeshje radhazi.
Në dalje nga stadiumi, yllit nga Berati i zunë pritë dhjetëra tifozë të cilët e pritën me thirrjet, “Uzuni qendro”.
Çfarë po ndodh me të?
Besohet se sulmuesi ka marrë një ofertë të nivelit të lartë financiar nga Ostin, klub I Ligës Profesioniste të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Po ashtu, komentet janë që ai ka kërkuar rinovim me kusht rritjen e rrogës.
Tifozët e Granadës tregohen të mirëkuptueshëm me të, ndërsa flasin për kamerat e mediave televizive.
Refreni i tyre është që dëshirojnë që Uzuni të qendrojë, por edhe që nëse dëshiron të largohet kjo është e drejta e tij.
Ka edhe fajësim për klubin, ndërsa kërkesa është që në rast transferimi, të respektohet klauzola në kontratë me vlerë 10 milionë euro.
Pritet të shihet se çfarë do të bëjë ylli i kombëtares shqiptare.
Ai është shënuesi më I mirë aktual I Granadës, dhe shënuesi më i mirë i huaj, dhe tifozët janë dakord që për kontributin që ka dhënë të fitojë më shumë para./abcnews.al