Kosovë, çmimet e konsumit në vitin 2024 u rritën për 1.6%

schedule15:41 - 10 Janar, 2025

schedule 15:41 - 10 Janar, 2025

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), sipas të cilit çmimet e konsumit në vitin 2024 u rritën me një mesatare prej 1.6%.

Sipas ASK-së çmimet pësuan një rritje vjetore prej 1,1% në dhjetorin e vitit 2024 krahasuar me dhjetorin e vitit 2023 dhe rritje 0,7% në dhjetor 2024 krahasuar me nëntor 2024.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1,1% në muajin dhjetor 2024, krahasuar me muajin dhjetor 2023. Inflacioni mujor ishte 0,7% në muajin dhjetor 2024. Ndërsa norma mesatare vjetore e inflacionit për vitin 2024 është 1,6%”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

ASK-ja ka treguar edhe faktorët që kanë çuar në rritjen mesatare të çmimeve prej 1.6% gjatë vitit 2024.

“Ngritja e indeksit të çmimeve të konsumit është vërejtur te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: biletat e fluturimeve (10,8%), kafja, çaji dhe kakao (8,0%), pijet alkoolike (6,9%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (6,5%), shërbimet financiare (5,8%), uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (5,3%), qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës (5,2%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (5,1%), pemët (4,8%), gazetat, librat dhe materialet për zyra (4,6%), veshje (4,0%), kujdesi personal (3,7%), energjia elektrike (3,4%), lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (3,3%), duhani (2,7%), buka dhe drithërat (2,5%), shërbimet hoteliere (2,0%) dhe mishi (1,9%) me një ndikim te përbashkët prej 2,0 për qind në IHÇK-it. Ndërsa rënie e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit gjatë vitit 2024 është vërejtur te nëngrupe e COICOP-it: karburantet”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu janë paraqitur edhe ndryshimet e çmimeve të produkteve që kanë ndikuar në rritjen mesatare prej 1,1 % në muajin dhjetor 2024 krahasuar me muajin dhjetor 2023.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: kafja, çaji dhe kakao (14,4%), vajrat dhe yndyrnat (9,3%), shërbimet financiare (9,1%), uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (5,9%), gazetat, librat dhe materialet për zyra (5,0%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (4,8%), qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës (4,5%), qumështi, djathi dhe vezët (3,8%), pijet alkoolike (3,5%), veshje (3,0%), mishi (2,9%), kujdesi personal (2,7%), buka dhe drithërat (2,6%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (2,5%), prodhimet ushqimore (1,8%), shërbimet hoteliere (1,8%), veglat dhe pajisjet për shtëpi dhe kopsht (1,6%), duhani (1,4%), pajisje shtëpiake (1,2%) dhe perimet (1,0%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2,0 për qind në IHÇK-it. Ndërsa rënie e çmimeve vërehet te grupi i COICOP-it: lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri etj.(-8,3%), karburantet”, thuhet në njoftim.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!