TIRANË– Kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur pyetjeve të komentuesve në faqen e tij “Facebook” në rubrikën “sy më sy”, me theksin tek investimet në sektorin e energjetik dhe uljen e çmimit të energjisë elektrike për abonentët familjarë.
Ai pohoi se së shpejti do të bëhet shpallja e paketës së dytë mbështetëse për panelet diellore për familjarët dhe bizneset në vend.
“Jemi sot të parët në rajon për vetë prodhimin e energjisë diellore nga familjarët dhe nga bizneset, prodhojmë 196 Megawat, katërfishin e Serbisë dhe më shumë se dhjetëfishin e Kosovës, Malit të Zi dhe RMV.
Së shpejti do të bëhet shpallja e paketës së dytë mbështetëse për panelet diellore, për familjarët në banesë dhe do jetë një sukses, sepse siç ndodhi me paketën arë, interesi është i madh dhe faktikisht u shterua i gjithë financimi 100%. Kush e nënvlerëson këtë popull bën një gabim të madh. Ne shqiptarët jemi si të tjerët kur bëjmë të gjithë si trajner futbolli, po erdhi puna te politika nuk na e ha qeni shkopin, shqiptari di të dallojë shumë mirë atë që bën punë nga ai që prish punë”, tha ai.
Më tej, kryeministri Rama theksoi se falë përpjekjeve të bëra, Shqipëria nga një vrimë e zezë në mes të Evropës në fushën energjetike, do të kthehet në një vend, i cili do të mbulojë të gjitha nevojat e brendshme të saj duke fituar pavarësinë dhe sovranitetin e saj në këtë fushë.
“E tilla ka qenë kjo përpjekje, për ta kthyer Shqipërinë nga një vrimë të zezë në mes të Evropës, në sektorin e energjisë, në një vend që edhe për pak vite fiton pavarësinë e plotë, ngre flamurin e sovranitetit të plotë në fushën energjetike duke mbuluar 100% të nevojave e brendshme”, tha ai./ abacnews.al