Trajneri spanjoll, Unai Emery, u shkarkua sot nga skuadra e Arsenalit, për shkak të rezultateve të dobëta javët e fundit. Në shtatë sfidat e fundit, Arsenali nuk regjistroi asnjë fitore, çka bëri që bordi drejtues ta shkarkojë strategun spanjoll. Disa orë pas shkarkimit, Unai Emery ka shkruar një letër për tifozët dhe klubin e Arsenalit.
“Ka qenë nder të jem trajner i Arsenalit.
Për të gjithë tifozët, dua t’ju falënderoj të gjithëve nga zemra, që më ndihmuat të kuptoj dhe të ndiej madhështinë e Arsenalit. Për të gjithë ju që na keni mbështetur nga çdo cep i globit, të gjithë ju që keni ardhur në “Emirates”, të gjithë ju që keni pritur në shi dhe të ftohtë vetëm për të më përshëndetur pas një ndeshje, faleminderit! Dua t’ju them të gjithëve që kam punuar me pasion, me përkushtim dhe me përpjekje maksimale.
Dua gjithashtu të dërgoj një mesazh mirënjohjeje për të gjithë punonjësit e Arsenalit për mënyrën se si më kanë trajtuar. Në veçanti, dua të veçoj Ivan Gazidis, i cili më mirëpriti në klub, dhe Raul Sanllehi, Edu dhe Vinai Venkatesham për respektin, shoqërimin dhe ndihmën e tyre.
Deri në minutën e fundit jam trajtuar me nder dhe ndershmëri. Dhe sigurisht, ju dërgoj mirënjohjen time të sinqertë familjes Kroenke, për besimin e tyre. Kam kaluar një vit e gjysmë plot emocione, me momente të shkëlqyera dhe disa të tjera më të hidhura, por as një ditë e vetme nuk ka kaluar pa më ndalur të mendoj se sa me fat kam qenë që kam punuar për këtë klub me këta lojtarë.
Ata kanë nderuar gjithmonë fanellën që veshin. Ata e meritojnë mbështetjen tuaj. Tashmë kam provuar shumë në futboll, por kam shijuar dhe mësuar shumë në Angli, në Premier League, për respektin për profesionistët dhe për pastërtinë e futbollit.
Urimet e mia më të mira gjithmonë, Unai Emery”.