Qytetarët në Panama i vunë flakën posterave të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, për shkak të deklaratës së tij se ai mund të kërkojë kthimin e Kanalit të Panamasë nën kontrollin e SHBA-së.
Qytetarët nën udhëheqjen e Sindikatës Kombëtare e Punëtorëve të Ndërtimit dhe Sektorëve të ngjashëm (Suntracs) një nga sindikatat më të fuqishme të Panamasë, dolën në sheshe dhe protestuan kundër Trumpit përpara Parlamentit të Panamasë.
Protestuesit dogjën flamurin amerikan dhe posterët e Trumpit dhe shprehën mbështetjen e tyre për presidentin panamez Jose Raul Mulino. Në deklaratën e bërë nga Suntracs thuhet se “Ne refuzojmë me vendosmëri kërcënimet e Donald Trumpit. Ky rajon u përket panamezëve. Ne jemi të vendosur të mbrojmë sovranitetin dhe kanalin tonë”.
Presidenti kolumbian Gustavo Petro, presidentja meksikane Claudia Sheinbaum dhe qeveria e Venezuelës theksuan se të drejtat sovrane të Panamasë mbi kanalin duhet të respektohen dhe dërguan mesazhe mbështetjeje për Mulinon.
Ndërsa Mulino duke falënderuar komunitetin ndërkombëtar në llogarinë e tij në rrjetet sociale tha: “Në emër të të gjithë panamezëve, ne jemi mirënjohës për mesazhet e solidaritetit nga krerët e ndryshëm të shteteve, ish-krerë shtetesh, liderë të organizatave ndërkombëtare dhe qytetarë. Kanali i Panamasë sot dhe gjithmonë do të vazhdojnë t’i shërbejnë tregtisë botërore”.
Çfarë ndodhi?
Më 22 dhjetor Trump akuzoi Panamanë se kërkonte tarifa tepër të larta për përdorimin e Kanalit të Panamasë dhe tha se nëse kanali nuk menaxhohet siç duhet ata do të kërkojnë që ai t’i kthehet SHBA-së.
Duke e përshkruar si një “gabim” transferimin e bërë nga ish-presidentit amerikan Jimmy Carter për menaxhimin e Kanalit të Panamasë, Trump tha se kanali iu dha Panamasë “jo për të mirën e të tjerëve” por si një simbol të bashkëpunimit midis dy vendeve.
Në përgjigje të Trumpit, presidenti panamez Mulino tha: “Qytetarët e mi, si president do të doja të them pamëdyshje se Kanali i Panamasë, të gjitha zonat e lidhura me të dhe çdo metër katror i tij i përkasin Panamasë. Sovraniteti dhe pavarësia e vendit tonë nuk janë të negociueshme. Kanali i Panamasë i përket Panamasë dhe i tillë do të mbesë”.