Tragjedia e tërmetit prek familjen e Evi Reçit

schedule11:36 - 29 Nëntor, 2019

schedule 11:36 - 29 Nëntor, 2019

Tërmeti i mëngjesit të 26 nëntorit ka prekur zemrën e çdo shqiptari, lutjet e të cilëve shkojnë çdo minutë për shpirtin e 50 viktimave dhe për ata që kanë humbur famijarë, të afërm, të njohur.

Në familjen Reçi fati deshi që humbja të ishte e katërfishtë dhe të katër pjesëtarët Eduarti 54 vjeç, Dolora 49n vjeç, Kristi 25 vjeç dhe Klaus 21 vjeç të jenë sërish bashkë, por në një tjetër botë.

Këngëtarja Evi Reçi ka patur lidhje gjaku me këtë familje, pasi Eduarti ishte xhaxhai i saj.

Nëpërmjet një postimi në Instagram, këngëtarja dhe moderatorja ka shprehur dhimbjen dhe trishtimin që ka pllakosur këto ditë shpirtin e saj për humbjen e madhe. Fatkeqësisht edhe një tjetër viktimë e këtij tërmeti, 30 vjeçarja Diena Karanxhi që humbi jetën së bashku me vajzën 8 vjeçare dhe nënën, Evi duket se ka patur një lidhje të ngushtë, pasi Diena ka qenë mike e afërt me artisten.

“Sa e çuditshme! Në momente të vështira dhe të dhimbshme, të rikthehen në mendje kujtimet më të bukura… Ashtu m’u kujtua dhe Kristi im, që kërcenim dhe këndonim bashkë. Ashtu dhe Klausi që qante që s’e merrnim me vete se ishte i vogli e ne të ‘mëdhenjtë.’ Ashtu edhe Axha Edi që humori verior ishte në çdo fjalë tijën, ashtu dhe Dolora që dedikoi jetën për familjen e saj. Po ashtu më riktheu kujtimet dhe Diena, shoqja ime e fëmijërisë.

Dilnim, bënim thashetheme, ndanim sekretet. Siç ishte në fillim dhe ‘sekreti’ për dashurinë tënde, për Dorin që më pas të pikturoi jetën me portretin e Esielës së vogël që t’u bë motivi i jetës. Ishit të gjithë bashkë. Një pse e madhe, një boshllëk i madh, nga një tërmet i madh. Zemrën e kam plagë!

Një faleminderit për të gjithë ju që më keni shkruar dhe më keni qëndruar afër në çdo moment me dashurinë dhe dashamirësinë tuaj. Zoti ju bekoftë”; ka shkruar Evi Reçi në postimin e saj ku ka ndarë foto me vajzën e xhaxhait Kristin si dhe me mikeshën e saj Dienën.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!