Moti i keq/ Durrës, pezullohet lundrimi i trageteve te linjave ndërkombetare

schedule08:57 - 23 Dhjetor, 2024

schedule 08:57 - 23 Dhjetor, 2024

Moti i keq ka përfshirë thuajse të gjithë territorin e vendit.

Reshjet e shiut dhe era e fortë kanë bërë që anijet që operojnë me linjat ndërkombëtare nga Durrësi në Bari, të pezullojnë lundrimin e tyre deri në normalizimin e situatës.

Në një njoftim zyrtar nga kapiteneria e Durrësit, njëri prej trageteve që operon drejt Italise do të kryejë lundrim pa pasagjerë si pasojë e kushteve të përkeqësuara metereologjike.

Në terminalin e kontenierëve proceset operacionale vijojnë normalisht dhe pa ndërpreje, ndërkohë që është pezulluar përkohësisht puna në terminalin e mallrave si pasojë e erës së fortë dhe rreshjeve intensive.

Kushtet e motit të keq kanë shkaktuar probleme edhe në Vlorë.

Për pasojë, trageti i linjës Vlorë-Brindisi nuk është ankoruar në port, por qëndron në radë. Nga kapiteneria e Vlorës, konfirmohet se pritet që të ulet forca e erës në orët në vijim, në mënyrë që trageti të ankorohet dhe më pas të niset drejt Brindisit. Autoritetet në Vlorë bëjnë thirrje për qytetarët të mos parkojnë makinat në disa zona me riskt të lartë, të cilat disa muaj më parë u përfshinë nga përmbytjet, si rruga Albano dhe Romina, zona te Biblioteka Publike, pranë Kishës Orthodhokse, në skelë dhe shkolla ‘Halim Xhelo’.

Edhe Lezha është përfshirë nga rrebeshe shiu të shoqëruara me erë të fortë. Shiu ka nisur prej orëve të para të mëngjesit dhe vijon të jetë prezent në të gjithë territorin. Kjo situatë ka krijuar prezencë uji në disa rrugë të qytetit dhe në aksin drejt Shëngjinit.

Në të gjitha akset brenda qytetit është krijuar kaos në lëvizje, ndërsa një numër i lartë i policisë rrugore janë angazhuar në pikat më problematike, për lehtësimin e qarkullimit.

Ndërkohë nga moti i keq është ndaluar dalja e mjeteve të vogla të peshkimit në det, pasi dallgëzimi është i lartë dhe përbën rrezik për lundrim.

Sakaq, moti i keq ka përfshirë edhe qytetin e Fierit, teksa raportohet për rrebeshe shiu dhe erëra të forta. Kjo situatë ka krijuar vështirësi në qarkullimin rrugor, ndërsa në zonën e Frakullës ka probleme me energjinë elektrike.

Me rastin e festave të fundvitit, trafiku në të gjitha akset kryesore është rënduar./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!