Kryeministri Edi Rama thotë se çdo institucion do të ketë program për fëmijët. Nga takimi ku u prezantua plani i ri i veprimit për sigurinë e fëmijëve, Rama tha se po punohet për një program në spitalin Pediatrik. Ai shtoi gjithashtu se së shpejti do të ketë edhe një institut për fëmijët që kanë probleme me ligjin.
“Jemi duke ndërtuar në spitalin Pediatrik një program për të çuar shkollën te fëmijët. Pra, fëmijët në spital të kenë mundësinë që të bëjnë edhe shkollë me një program të lehtësuar, model i shkëlqyer nga Izraeli dhe po e përgatisim me miqtë nga atje. Po ashtu, jemi në proces për të ndërtuar institutin e fëmijëve në konflikt me ligjin që është një institut që është një model evropian, i shekullit të ri i shkollës së riedukimit, për ata fëmijë që kanë kryer një vepër që nuk mund të çohen në burg se dalin edhe më problematik se sa hyjnë dhe instituti është projekti.
Së shpejti do të lancojmë fillimin e ndërtimit për të ashtu sikundër programi i fermës në shkollë. Duhet të bëhet dhe do të bëhet një program i ministrisë së Bujqësisë në bashkëpunim me të Arsimit dhe i financuar nga qeveria. Një program më i gjerë sesa thjesht kemi një baçe, por edhe i prodhimit dhe shitjes së atyre produkteve që fëmijët të kuptojnë se domatja nuk prodhohet në TikTok, që puna nuk bëhet në TikTok, dhe që marrëdhëniet nuk janë ato të TikTokut, por të jetës reale. Ministria e Mbrojtjes do të ketë program të dedikuar për fëmijët dhe policia e shtetit gjithashtu, përtej oficerëve të sigurisë.”, tha Rama./abcnews.al