Një operacion ndërkombëtar kundër pastrimit të parave të Europol në bashkëpunim me organet ligjzbatuese të disa vendeve, përfshirë Shqipërinë, çoi në arrestimin e 9 trafikantëve të drogës dhe sekuestrimin e sendeve me vlerë (ari, mallra luksi), 35 000 euro cash dhe 25 milionë euro kriptovaluta.
Hetimi i Europol nisi në vitin 2021 pas sekuestrimit të parave të gatshme gjatë një kontrolli shtëpie në lidhje me një hetim për trafikun e kokainës. Disa prej kartëmonedhave kishin mbishkrime me dorë, të cilat jepnin informacion se kush po koordinonte dhe lehtësonte aspektin financiar të trafikut të drogës.
Nëpërmjet një kontrolli të këtyre të dhënave në EncroChat dhe Sky ECC u zbulua një koordinator që ofronte shërbime bankare për një rrjet kriminal me bazë në Spanjë, i cili nga ana tjetër ishte nën mbikëqyrjen e një rrjeti që operonte nga Dubai. I dyshuari, shtetas britanik, u arrestua më 12 shtator 2022.
Një nga gjetjet kryesore të hetimit ishte se një anëtar i një rrjeti kriminal me bazë në Shqipëri, i shënjestruar gjatë operacionit GORGON në muajin Korrik, lehtësonte transferimin e shumave të mëdha parash përmes kriptomonedhave.
E përdorur jo vetëm nga banda kriminale shqiptare, por edhe nga organizata të tjera kriminale dhe objektiva me vlera të larta, kjo është një qasje inovative për pastrimin e parave./abcnews.al