Borxhet e vjetra të ujit/Gjiknuri: Bashkitë të miratojnë skema lehtësuese

schedule11:18 - 12 Janar, 2018

schedule 11:18 - 12 Janar, 2018

Ministri Damian Gjiknuri u kërkon bashkive të miratojnë skema lehtësuese për të ndihmuar qytetaret të shlyejnë borxhet e prapambetura të ujit. Gjiknuri e bëri këtë apel nga Përmeti ku ka nisur të zbatohet një investim i qeverisë për ujësjellesin e këtij qyteti.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri shoqëruar nga deputetja e zonës  Mirela Kumbaro inspektuan kantierin e punimeve për rehabilitimin e ujësjellësit të qytetit të Përmetit. Investimi i qeverisë kap vlerën e rreth 5 milionë USD. Sipas kontratës, brenda 30 muajsh investimi do të mundësojë furnizimin me ujë 24 orë duke i dhënë zgjidhje kështu një problematike mbi 25 vjeçare.

“I ftoj qytetarët që deri në fund të Janarit, vullnetarisht të bëjnë lidhjen në mënyrë legale me rrjetin e ujësjellësit kudo që ata janë sepse qeveria në Shkurt do të fillojë masat për kontrollet sëbashku me autoritetet vendore. U bëj thirrje të gjitha bashkive që të bëhen pjesë e kësaj reforme të rëndësishme. Qeveria shqiptare do ta marrë këtë rrisk për të investuar siç po investon edhe në Përmet por që këto investime të bëhen të qëndrueshme duhet që të gjithë qytetarët shqiptarë ta paguajnë ujin.

Duke ju referuar reformës në sektorin e ujit të pijshëm, ministri Gjiknuri u bëri një apel kryebashkiakëve në gjithë vendin.

“Dua t’u bëj thirrje edhe bashkive që të miratojnë skema lehtësuese për borxhlinjtë e vjetër apo njerëzit që kanë akumuluar borxhe për shkak të mungesës së interesit apo fatkeqësisht edhe punës jo të mirë të ujësjellësave dhe bashkive përkatëse. Çfarë do të thotë? Skema lehtësuese njësoj siç bëmë me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, për t’i shtrirë borxhet e vjetra në vite, për ti dhënë mundësinë qytetarëve të mos rëndohen përnjëherë me pagesën e faturave që ujit që janë të akumuluara me vite. Është shumë e rëndësishme, kjo është në dobi të qytetarëve, pagesa e ujit është siguri për furnizimin me ujë. Nuk ka rrugë tjetër! Po nuk e paguam ujin ashtu siç e paguajmë edhe energjinë elektrike qeveria shqiptare do ta ketë të pamundur të kryejë gjithë ato investime të nevojshme për të gjithë ato zona të Shqipërisë të cilat fatkeqësisht akoma nuk kanë një rrjet modern të ujësjellës-kanalizimeve”./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!