Në 30 ditët në vijim qarku i Tiranës dhe i Durrësit janë në gjendje të jashtëzakonshme që u shpall mëngjesin e kësaj të mërkure nga kryeministri Rama. Por Kushtetuta në pjesën për situata të rënda ka dy parashikime; atë për gjendje të jashtëzakonshme dhe për fatkeqësi natyrore. Kronika ju informon me ndryshimet mes dy termave dhe detyrimet që i lindin shtetit ndaj të dëmtuarve.
Për Tiranën dhe Durrësin kryeministri Edi Rama shpalli gjendjen e jashtëzakonshëm për një afat 30 ditor, ende pa u bere vlerësimi paraprak për gjendjen e krijuar nga tërmeti. Në Kushtetutë për gjendje të rënda parashikohen dy terma; gjendja e jashtëzakonshme dhe fatkeqësi natyrore.
Në nenin 173 të Kushtetutës parashikohet që “gjendja e jashtëzakonshme vendoset nga Kuvendi me propozim të Këshillit të Ministrave, në rastet kur cenohet rendi kushtetues dhe siguria publike”
Kjo gjendje bën të detyrueshëm ndërhyrjen e forcave të armatosura, që sërish bëhet me vendim të Kuvendit dhe vetëm kur forcat e policisë nuk janë në gjendje të rivendosin rendin.
Ndërsa fatkeqësitë natyrore parashikohen në nenin 174. Në këtë nen thuhet se,
“Për parandalimin ose mënjanimin e pasojave të një fatkeqësie natyrore ose aksidenti teknologjik, Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit”.
Me bilancin e rëndë të viktimave të shkaktuara nga tërmeti, sipas këtyre dy parashikimeve në Kushtetutë, duke e arsyeshme që gjendja të konsiderohet si fatkeqësi natyrore. Sipas ligjit të miratuar në 17 korrik 2019, parashikohet që shteti shqiptar të përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga pasojat e një fatkeqësie.
Në rast të shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, kompensimi për qytetarët e dëmtuar bëhet me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave.
Këtë të mërkurë kryeministri Rama deklaroi se deri në vitin 2020 mund të ndërtohen shtëpitë e reja./abcnews.al