Vrasja në Ndroq/ Dyshohet se autori e ndoqi 50-vjeçarin para se ta ekzekutonte, çfarë deklaruan familjarët e tyre

schedule11:19 - 2 Dhjetor, 2024

schedule 11:19 - 2 Dhjetor, 2024

Grupi hetimor ka rindëruar dinamikën e ngjarjes së ndodhur në Ndroq ku mbeti i vdekur Alfred Dejda, 50 vjeç  dhe sqaroi për ABC News se viktima ndodhej i ulur në lokal me një të afërm të pronarit.

Autori, 27-vjeçari Julian Gjoshi ka qenë në lokal i ulur në tavolinë tjetër. Sapo ka parë 50-vjeçarin në lokal i cili i është afruar në tavolinë, autori nuk e ka nxjerrë armën nga xhepi, por e ka qëlluar direkt nga xhepi i xhupit.

Policia ka shoqëruar për të marrë në pyetje edhe dëshmitarët në lokal si dhe të njohur dhe familjar të autorit Julian Gjoshi.

Një prej dëshmitarëve ka treguar se rreth dy orë para se të ndodhte vrasja e ka parë Julianin në zonë dhe e ka përshëndetur. Ky fakt dyshohet nga hetuesit se autori ka qenë më herët përgjatë zonës duke ruajtur lëvizjet e objektivit të tij.

Në vendngjarje është gjetur edhe një predhë, e cila është çuar në laborator për ekspertim. Ndërkohë familjarët e viktimës dhe autorit janë shprehur se nuk kanë qenë në dijeni të konflikteve mes të dyve.

Familjaret e autorit dhe viktimës kanë thënë që nuk kanë dijeni as që kane shokë as që janë zënë.

Po verifikohen kamerat për të parë sa kohë para ngjarjes ka lëvizur autori në zonën ku ndodhi ngjarja./abcnews.al