“Radoiçiç, arsyeja e sulmeve”, Kurti: Serbia po vepron si Rusia në Ukrainë

schedule23:30 - 1 Dhjetor, 2024

schedule 23:30 - 1 Dhjetor, 2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare t’i bëjë trysni Serbisë ta dorëzojë tek autoritetet kosovare Millan Radoiçiç.

Sipas shefit të qeverisë,  politikani dhe biznesmeni serb është “arsyeja thelbësore” e sulmeve që kanë ndodhur dhe mund të ndodhin në të ardhmen në Kosovë.

Duke folur në një konferencë për mediat të dielën, Kurti e krahasoi sulmin në Zubin Potok me sulmet e Rusisë ndaj infrastrukturës ruse të Ukrainës.

Konferencë për mediat zhvilloi edhe presidenti serb Vuçiç, ku mohoi kategorikisht përfshirjen e Beogradit në ngjarje dhe tha se ka pasur tentativa për një sulm të madh hibrid ndaj Serbisë.

“Dje ka pasur një tentativë për një sulm të madh hibrid ndaj vendit tonë, në valën e parë kanë akuzuar Beogradin dhe Serbinë se janë pas shpërthimit në Zubin Potok dhe Beogradi e Serbia nuk kanë lidhje me ato ngjarje.”

Vuçiç tha gjithashtu se autoritetet serbe kanë mbledhur informacione se kush mund të jetë autori i sulmit, por nuk dha detaje.

“Kemi disa dyshime të caktuara, por hetimi do të tregojë se kush e ka urdhëruar. Mendoj se kemi disa njohuri për atë se kush mund të jetë kryerësi.”

Presidenti serb shprehu gatishmërinë e autoriteteve të Beogradit për të bashkëpunuar jo vetëm me EULEX dhe KFOR, por edhe me Prishtinën.

Ministri I brendshëm, Xhelal Sveçla ishte sërish në vendin e ngjarjes ku tha se aksioni nuk do të ndalet me kaq, teksa është konfirmuar se nuk do të ketë probleme sa i përket furnizimit me ujë.

Kanali i ujit Ibër-Lepenc në veri të Kosovës u hodh në erë mbrëmjen e 29 nëntorit.

Policia e Kosovës arrestoi 8 të dyshuar dhe zbuloi një arsenal armësh, përfshirë eksploziv dhe uniforma ushtarake./abcnews.al