Kokainë në lëkurët e gjedhit/ Ekspertiza provoi praninë e drogës në ngarkesën e kapur

schedule15:06 - 29 Nëntor, 2024

schedule 15:06 - 29 Nëntor, 2024

Në lëkurët e kafshëve që mbërritën nga Republika Domenikanë në Shqipëri është provuar se ka përmbajtje kokaine.  Sipas prokurorisë së posaçme gjatë ekzaminimeve laboratorike ka rezultuar se në lëkurët e gjedhëve ka prani kokainës e cila do të nxirrej nga anëtarët e grupit kriminal  me qëllim trafikimin e saj.

Mësohet se hetuesit nuk kanë përfunduar ende me ekzaminimet e ADN-së dhe zbulimin e gjurmëve të gishtërinjve të gjetura në laboratorin në Qerekë të Fushë Krujës por edhe në dy bazat e tjera, në zonë e Kodrës së Diellit dhe në Durrës, për identifikimin e personave që kanë qenë të përfshirë në këtë aktvititet kriminal përveç të arrestuarve dhe të shpallurve në kërkim deri më tani.

Në përfundim të kësaj faze, grupi hetimor nëpërmjet ekspertëve kimistë pritet të kryejë edhe nxjerrjen e kokainës nga lëkurët e kafshëve dhe përllogaritjen e sasisë së lëndës narkotike.

Mendohet se brenda tyre është fshehur sasi e konsiderueshme e lëndës narkotike, e cila pas ndarjes, dërgohej në laboratorin e përpunimit në Qerekë të Fushë-Krujës.

Nga ana tjetër gjatë këtyre ditëve hetuesit kanë marrë në pyetje personat e arrestuar për rolin e tyre në trafikun e kokainës. Mësohet se të arresturit kanë mohuar përfshirjen e tyre në këtë aktvitet kriminal.

Mësohet se grupi i hetimit i është drejtuar me letërporosi Republikës Domenikane dhe Brazilit, për të identifikuar persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë trafik ndërkombëtar.

Lidhur me këtë aktivitet kriminal, Prokuroria e Posaçme organizoi në bashkëpunim me agjencitë partnere një operacion me 10 urdhër-arreste që u ekzekutuan më 15 nëntor të këtij viti.