Festimet për Ditën e Pavarësisë kanë nisur me ceremoninë e ngritjes së flamurit, tek sheshi para monumentit të Luftëtarit Kombëtar. Nën tingujt e marsheve patriotikë, të ekzekutuar nga banda frymore e qytetit, janë bërë homazhe dhe janë vendosur kurora tek monumenti i Luftëtarit Kombëtar, nga deputetët e Qarkut të Korçës, drejtues të pushtetit vendor, të partive politike si dhe përfaqësuesit e besimeve fetare.
Më pas në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” është celebruar mesha e Flamurit, ku mitropoliti i Korçës Imzot Johani, ka përcjellë bekimin për flamurin kombëtar dhe popullin shqiptar, duke u lutur që kombi të vazhdojë rrugën drejt zhvillimit dhe begatisë.
Për herë të parë mesha e flamurit është mbajtur nga Fan Noli në kishën e Shën Gjergjit në Korçë në vitin 1923 dhe prej atëherë është kthyer në një traditë të përvitshme.
/abcnews.al/