Dita e Pavarësisë/ Vlora e veshur kuq e zi feston 112 vjetorin

schedule10:09 - 28 Nëntor, 2024

schedule 10:09 - 28 Nëntor, 2024

Vlora mirëpriti këtë të enjte liderët më të lartë shtetërore, në ceremoninë e ngritjes së flamurit në kuadër të 112 vjetorit të Pavarësisë.

Me kurora në duar, presidenti Bajram Begaj, kryeparlamentarja Elisa Spiropali dhe kryeministri Edi Rama zhvilluan homazhe pranë monumentit të Ismail Qemalit në nderim të përpjekjeve dhe sakrificave të patriotëve shqiptarë për pavarësi.

Në homazhe ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Pas nderimeve, nuk munguan as shtrengimet e duarve  mes krerëve të shtetit dhe qytetarëve të cilët ishin të shumtë në numër.

Ndërsa presidenti Begaj, urimin për gjithë shqiptarët kudo që janë e bëri në rrjetet sociale, ku kërkoi më shumë angazhim dhe përpjekje për ta cuar përpara Shqipërinë.

“Kudo ku janë bashkëatdhetarët tanë, i ftoj nga Vlora  e pavarësisë që, në çdo angazhim që kanë e iniciativë që ndërmarrin, të kenë vetëdijen e vendosmërisë, bukurisë, sakrificës, e të çojnë përpara arritjet e Shqipërisë e kombit shqiptar.”

Me herët edhe kryeministri Edi Rama, uroi shqiptaret me një video të publikuar në rrjetet sociale ku shfaqeshin sheshet kryesore të vendit të veshura të gjitha kuqezi..

Dita e Pavarësisë është një monument reflektimi për të gjithë shqiptarët teksa ky 112-vjetor e gjen Shqipërinë më pranë cëljes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.