Partia Socialiste ka propozuar datën 11 maj, si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 2025. Kjo u konfirmua nga sekretari i përgjithshëm i PS, Blendi Klosi, pas konsultimeve që pati me kreun e Shtetit Bajram Begaj, ndërkohë që Partia Demokratike ka bojkotuar procesin.
Këtë bojkotim e ka komentuar në “News Line”, analisti Arben Meçe, i cili u shpreh se PD është e bindur se do të humbë përballë Ramës.
Ai ka theksuar se ka qene një opinion i shprehur nga vetë Sali Berisha, që zgjedhjet I ka të humbura dhe do të insistojë për qeveri teknike.
“Unë prej kohësh kam thënë që PD është e debatueshme nëse do të futet apo jo në zgjedhje. Sepse në rrugën e vetë PD do të prodhojë të gjitha llojet e insuatave për të justifikuar mosfutjen e saj. Tashmë janë deklarime të drejtpërdrejta të Sali Berishës, të shprehura, ‘Në këto zgjedhje me Ramën ne jemi të humbur, sepse qeveria Rama ka një terren të përgatitur’. Është një opinion i shprehur, që nëse zgjedhjet do të bëhen me Ramën janë të humbura, sepse këta do të përpiqen politikisht dhe do të insistojnë për qeveri teknike.
Mesa po shohim nga rrethanat politike të Shqipërisë nuk ka për të ndodhur. Sali Berisha jo pa qëllim ka tërhequr PD në fatin e vetë”, tha Meçe./abcnews.al