Libani pretendon se 29 persona janë vrarë nga sulmet izraelite

schedule22:32 - 12 Nëntor, 2024

schedule 22:32 - 12 Nëntor, 2024

Libani tha se sulmet ajrore izraelite kanë vrarë 29 persona në mbarë vendin më 12 nëntor, në mesin e tyre edhe persona që ishin zhvendosur si pasojë e konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut, grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit.

Sulmet kanë shënjestruar jo vetëm bastionet e Hezbollahut, sikurse janë ato në periferi të Bejrutit, por edhe zona ku ky grup, që mbështetet nga Irani, tradicionalisht nuk ka prani.

Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se në një qytezë në jug të Bejrutit u vranë të paktën 12 persona dhe u plagosën tetë të tjerë.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Liban tha se në ndërtesën që u shënjestrua po strehoheshin personat që kishin ikur nga bombardimet që Izraeli kryen në luftën kundër Hezbollahut.

Hezbollahu është grup i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara, ndërkaq Bashkimi Evropian ka futur në listën e zezë krahun ushtarak, por jo edhe grupin politik të grupit. Partia e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.