Policia, reforma përmes garës/ Softa: Pro këtij ‘vettingu’. Hajdarmataj: S’jam kundër konkurrimit, por…

schedule20:53 - 12 Nëntor, 2024

schedule 20:53 - 12 Nëntor, 2024

Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, duke komentuar në “Real Story” procesin e konkurrimit për zgjedhjen e drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, tha se ka qenë pro emërimit nëpërmjet konkursit dhe prezantimit të një platforme nga kandidatët se si do ta drejtojnë institucionin.

Nga ana tjetër, ish oficeri i lartë i policisë Arben Hajdarmataj, i cili ka qenë kritik ndaj këtij procesi, deklaroi se nuk është kundër konkurrimit. Sipas tij, është e nevojshme që të bëhen publike kriteret që duhen plotësuar që një figurë e caktuar të zgjidhet fituese kundrejt kandidatëve të tjerë në garë.

Pjesë nga diskutimi:

Fatjon Softa: Kam qenë ndër personat e parë që në mënyrë mediatike kam përcjellë këto ide. Nuk mund ta imagjinoj dot që një drejtor policie të emërohet por të zgjidhet jo më pak se tre kandidatë, dhe të fitojë nëpërmjet një platforme dhe projekti për mënyrën se si do të drejtojë. Kam thënë që drejtori e përgjithshëm duhet të marrë votat në parlament në të njëjtën formë si prokurori i përgjithshëm, avokati i popullit e me radhë. Të ngremë në një nivel, nuk është se prokurori ka diferencë me drejtorin e përgjithshëm sepse ministria e Brendshme i ka të gjitha strukturat. Ka krimin ekonomik, forcat speciale, hetimin, policinë kriminale. Ky është proces i cili u normua nëpërmjet një ligji. E para ishte për drejtorin e përgjithshëm të policisë. Tani jemi për drejtorët e qarqeve dhe shefat e komisariateve. Në garë janë 200 veta që kalojnë nëpërmjet një filtri, një lloj vettingu. Do të kontrollet nga pikëpamja profesionale por dhe e pastërtisë së figurës.

Arben Hajdarmataj: Tani unë në aspektin e konkurrimit nuk kam gjë kundër. Ligji i policisë është ligji që nga vitet ‘90 që ka ndryshuar më shumë. Çdo qeveri ka amenduar nene. Por thellësisht ligji i policisë me këtë standard është ai i vitit 2008, ku vuri konkurrimin për karrierën në gradë, që do të thotë se nuk kalon dot në një post tjetër nëse nuk konkurron. Konkursi është bërë brenda strukturës së policisë, ligji i ri ka vendosur një model tjetër konkurrimi. Pra, nëse 12 drejtorë qarqesh të kenë gradën drejtues, kalojnë në proces konkurrimi. Jam kundra në aspektin praktik. Nëse analizoj këto emra, shumë i njoh dhe shumë jo. Por duke krahasuar me ata që njoh, Tonin Vocaj që është personazh publik, nuk e di se çfarë kriteri ka pasur më shumë ai që ka dalë i parë krahasuar me Toninin. Për mua drejtori i përgjithshëm, ministri i ri kanë të drejtën t’u besojnë drejtuesve të rinj. Procesin e konkurrimit, ne si qytetar duhet të kuptojmë që ta bëjmë të besueshëm këtë konkurrim, se çfarë kriteri janë ndjekur që këta njerëz kanë aftësi më shumë se të tjerët./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!