“Modeli i Berishës, model i të ‘mbyturit'”, Ibsen Elezi: Aksionet e Partisë Demokratike pa plan dhe pa asnjë sens

schedule23:46 - 7 Nëntor, 2024

schedule 23:46 - 7 Nëntor, 2024

TIRANË- Ish-kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Ibsen Elezi, i ftuar në “Ora e Fundit” në ABC News u shpreh se opozita tregoi se nuk ka plan dhe mosbindja e tyre civile u amplifikua aq shumë sa “betoheshin” se nuk do përfundonte deri në arritjen e një qeverie teknike, por sot, deputetët e Berishës e harruan premtimin dhe u kthyen në Kuvend.

Ai shtoi se lëvizja e opozitës ishte pa sens dhe pa plan politik.

“Nuk duhet të merren më shumë seriozitet pasi këto aksionet nuk përbëjnë sens. Ajo mosbindja civile, që u amplifikua që nuk do ketë ndalesë deri në qenërinë teknike. Nuk ke çfarë komenton më  shumë, por janë lëvizja që janë pa strategji dhe pa plan. Janë lëvizje për të mbushur vakumin politik dhe nuk ke si I jep shpjegim. Aty nuk mendon njeri me kokën  e vet në PD dhe e kemi vënë re”, tha ai.

Por sa shanse ka që Sali Berishës t’i hiqet njolla e non gratës nga SHBA, tani që Donald Trump fitoi garën e 5 nëntorit dhe u rikthye në krye të Shtëpisë së Bardhë, për këtë Elezi u përgjigj shkurt:

“Vullnetarët e Berishës kanë shpresë të kotë për t’i hequr non gratën kryetarit”, theksoi ai.

Sipas Elezit, dyshja politike si Flamur Noka dhe Gazment Bardhi janë personazhe pa formë dhe pa ide politike.

“Vetëm mosbindje civile nuk është, ai është aksion politik në formën e një proteste. Janë kthyer në njerëz pa formë dhe opinioni publik nuk di se çfarë emri t’u vendosësh”, tha ai.

Më tej, Elezi u shpreh se modeli politik që përfaqëson Sali Berisha është “modeli i të mbyturit”, që nuk i shërben askujt.

“Berisha dhe modeli i tij, është modeli i të mbyturit dhe nuk gjen më shpëtim.”, theksoi Elezi./abcnews.al